Maratona brenda «rrethit të djallit»

Populizmi politiko-religjioz i ushqyer nga analfabetizmi funksional masiv medial e institucional është uterusi i një depresioni permanent që bllokon shoqërite shqiptare jo vetëm drejt botës por edhe brenda vetes.

«Të dy dëmtojnë veten: ai që shpreson shumë dhe ai që premton» [Lessing] edhe ato në të cilat nuk beson as vetë. Filozofët që shpresën e priorizojnë mbi gjithçka tjetër e lavdërojnë këtë aktivitet shpresagjenerues duke u thirrur në temporalitetin e interaksionit: lumturia e prodhuar nga premtimi mund të zgjasë me vite, ndërkaq zhgënjimi, pasi shpërthyes dhe çast i trajtës afektive, pas dyluftimit të personit me të vërtetën kalon shpejtë në zhgënjim ☞ mllef, ☞cinizëm | ironi ☞ distancim = riorientim! Ky zhvillim katartik mirëpo kushtëzon njeriun racional [qytetarin e shtetit ligjor të postmodernës]. Përjashtimin e bëjnë ata që çmenden ose ekzekutojnë premtuesin [qytetari i kohës së revolucioneve franceze].

Si përkthehet ky relacion në rrafshin politik dhe në atë shqiptar?

POPULIZMI DHE MASHA E TIJ

Në politikë «Premtuesi» është përherë politikani ose vektori publik në shërbim të të parit. Në rrafshin interpersonal [populist ☞ ihthar] zhgënjimi manifestohet me fluktuacione të shpeshta të hierarkive në ikje [kjo është shtresa që për shkak të afërsisë e para përjeton zhgënjimin] dhe atyre që inkuadrohen [magnetizmi djallëzor i populizmit] për tu zënë vendin viktimave paraprake, ndërkaq në rrafshin kolektiv – dhe ky është ai më i rëndësishmi për funksionimin e shoqërive verikalisht apo drejt gropës – këta dy, premtuesi dhe i zhgënjyeri, shndërrojnë vitin në «periudhën e 365 zhgënjimeve» [Bierce]. Relacion ky që është baza e çdo depresioni kolektiv. Me një fjalë populizmi shërben si fabrikë e depresionit permanent, nëpërmjet të cilit premtuesi mban nën kontroll masat me ndihmën e ithtarit infektiv. Ata që s’janë ithtarë të tij punojnë gjithashtu për atë: duke u përpjekur t’i emancipojnë fanatikët e populistëve ata detyrueshëm kërcjenë tangon para zjarrit të përhapjes së depresionit bashkë me ta.

E si të shpërthejë atëherë një shoqëri nga jeta 365 ditëshe brenda rrethit të djallit për të ecur përpara? Si të ikë ajo nga mbretëria e stagnimit ku shpresa [me maksimumin në flamur: lideri im kryeministër a president] është vetëm mjet i populistëve që duan të vijnë në pushtet e jo gjendje që paralajmëron shërimin e militantit nga paranojat e tij dhe me këtë shpëtimin e shoqërisë nga populizmi i përmasave fashiste? Kush ta thyejë këtë shkëmb monolit që u mbyll udhën shqiptarëve drejt vetërealizimit, kush do ta bind militantin fatkeq se ka shndrruar «kohën në arkë mllefi e urrejtjeje» [Sloterdijk] jo vetëm kundër vetes, por mbarë shoqërisë ku vepron si një shigjetë toksike truve të kulturosferës «për të cilën lufton» ta shpëtojë? Nuk shpëton askush duke e futur në transin e depresionit pa terapinë adekuate.

Cila do ishte terapia? Në një shoqëri ku shumica absolute janë analfabetë funksional [prandaj populizmi politik dhe ai religjioz janë kaq të suksesshëm] ky është problem i madh. Është festë për çdo populist e për çdo pushtet, mirëpo është dramë për shoqëritë. A ka mbetur ndonjë shpresë jashtës shpresës destruktive të militantëve se në 365 ditët që vijnë do të ndryshojë diçka?

ANOMALIA E PËRJETSHME

Kishte njerëz, që dikur këtë gjendje e përshkruanin si «anomali të domosdoshme të tranzicionit» dhe argumentonin se me ndihmën e mediave [sidomos këtyre në Kosovë] dhe institucioneve të arsimit do të sqarohet shoqëria se «mendësia dhe optika e negativitetit absolut» karshi edhe atyre elementëve të kozmosit që nuk i deformon dota dora e njeriut dita dhe drita janë vetëm kamuflazh – stacion i paaritshëm pavarësisht se kush ta premton? Optimistët nuk e dinin fuqinë e populizmit të ngritur mbi shtratin e analfabetizmit funksional. Ky ia dorëzoi shumë shpejtë instutucionet e shkollimit populizmit politik dhe atij antisekular. Për shkak të konkurrencës mediat serioze u përmbysën nga shërbetoret e populizmit, mediat të cilat depresionin – riprodhimin e tij – e kanë profitin e vetëm të ekzistencës.

Deri tash ky ligjërim i përngjan një diksursi metadepresiv. Autori në depresion për shkak të depresionit që ka kapluar shoqëritë për të cilat reflekton ai.

Pasi ia nisëm kësaj piramide nga baza, themelet e së cilës i përbejnë premtuesi dhe i zhgënjyeri le ta përfundojmë me një rrëfim si mësim se si u shërrua X-i i ikur nga lufta e dy të parëve nga një depresion komplet tjetër – ai i njeriut të huaj!

EKSKURSI SI PËRFUNDIM

Keni parasysh një që katandiset botës dhe s’di as gjuhën e vendit e lere më tjerat. Si i tillë ai është i varur nga përkujdesja sociale e shtetit. I ikuri, pavarësisht motivit shtytës, bartë në trastë e në shpirt gjersa të vdes ndjenjën të jetë përzëne nga prehëri i tokës ku e ka sjellë natyra. Me ndjenjën e të përjashtuarit ai përballet me një shoqëri, e cila për shkak se nuk e kupton s’ka se si mos e përjashtojë. Ajo pret që fillimisht të merret vesh me të. Dy udhë i mbeten këtij: ta luaj viktimën duke u ankuar tërë jetën se nuk e donë bota ose të shfrytëzojë në mënyrën maksimale ato që ka, duke i trajtuar si pozitive, që pastaj mbi ato të ndërtojë jetën. Dhe si Descart-it në atë furrën e Bayernit [?] i lindë ideja t’i mësojë sa më shpejtë gjuhët e vendit. Dikur nis të kënaqet me ato. Ai kënaqet me ato saqë i flet ato si bylbyl. Entet sociale bëjnë llogarinë: X-in e heqim  qafe vetëm nëse e profesionalizojmë për diçka që të ketë punë të përhershme. Kështu X-i i ikë depresionit dhe përfundon si Dr. i shkencave në ndonjë institut të vendit. Ai ndërtoi jetën e tij ngase një ditë zbuloi se nuk duhet ta shpikë botën nga e para; se nuk duhet në çdo vepër të tjerëve para tij të shoh fytyrën e djallit vetë, por i kuptoi ato si meritë e atyre që kishin hapur tunelet, pastruar kanalizimet dhe kishin bashkëndërtuar një shtet, një shoqëri që i mundësonte këtij realizimin e mëtutjeshëm. Kështu shpëtoi X-i nga populizmi që solli me vete dhe nga populizmi në vendin e rri që donte ta bëjë për vete. Ai e  lexoi me kohë në sy populizmin dhe i tha atij: Jo –  dhe shpëtoi! Tashmë ai nuk jeton si një shigjetë toksike që mban peng një shoqëri të tërë me helmin e tij. Ndërmjet premtuesit dhe të zhgënjyerit potencial ai ndoqi veten! Atë të çliruarit nga kthetrat e analfabetit funksional me paranojën që ushqehet nga parulla aq banale dhe depresive si «bota është ferri vetë; gjithë janë kriminel, vetëm lideri im është pejgmaberi që do ta shpëtojë botën».

Kryefilozofi kishtar Thomas nga Aquin ishte besimtar i rëndë dhe kjo fjali është e tij: «Për mrekulli njeriu duhet t’i lutet Zotit, për të bërë ndryshime mirëpo duhet të punojë» me veten, për veten, jo për liderin, populistin/en. Atëherë kur njeriu pyet veten se si e donë jetën kupton se receta e tjetrit s’ka të bëjë aspak me të.

Related

Çibani gjerman në trurin shqiptar

Merkel zgjodhi Beogradin si qendrën nga ku i dha...

Filoborati këshillon Demë Gogën

Kosova është model sepse refuzon nacionalizmin evropian dhe për...

Albin Kurti si projeksion i një mentaliteti në huti

Asgjë sot nuk bëhet më pa projekt. Intelektuali që...

Aura e Mesias dhe autoriteti i Mahmutit

Kur kritikon qeverinë të thonë prit se herët. Sikur...

Fanatikët kërcënojnë Laviatanin

Në Obiliq zyrtari ngacmon seksualisht një grua. Dënimi: kod veshjeje për qytetarët. Në Gjakovë një autor bën thirrje dhe nxit kundër myslimanëve. Dënimi: policia vepron pa procedurë ligjore si në Afganistan dhe e burgos atë. Në Tiranë; një humorist bën shaka me ezanin. Dënimi: xhemati i një imami radikal salafist bën ligjin sferave publike. Këto veprime nga sekularët dhe tjerët lexohen si tendencë për të instaluar sheriatin. Shteti dhe mediat ose heshtin ose luajnë indiferentin. Si duket me qëllim: sa më shumë provokime aq më keq për myslimanët. Gjersa radikalët besojnë të pushtojnë shoqëritë myslimanët duhet të kenë frikë për lirinë dhe xhamitë e tyre. Pse?