«That’s Entertainment!»

Mediat luajnë rolin e emancipimit, argëtimit, informimit, manipulimit apo siç kritikojnë së fundi kryesisht mediologët gjermanë dhe francezë duke thënë se mediat audiovizuele qëmoti janë shndërruar në «fabrika të akulturimit dhe eskapizmit»?

TEZA I– Me Industrializimin dhe modernën erdhi edhe Industria e Mediave. Në krahasim me Industrializimin teknik – teknologjik i cili i solli humanitetit përparime në fusha të ndryshme të jetës, mediat nëpërmjet «Entertainment­»-it, shout dhe «politikës së kuotës (shikueshmërisë) sa më të lartë dhe me çdo kusht» akulturuan shoqëritë dhe banalizuan sjelljen sociale dhe mënyrën e komunikimit ndër njerëz. (Karl Kraus, Habermas, Guy Debord).

ANTITEZA I – «Entertainment­»-i demokratizoi mediat, pra ato u hapën si mjet interaksioni edhe për masat e gjëra dhe njeriun e zakonshëm (formatet si kuizet, garat e ndryshme, proceset e improvizuara gjyqësore, etj.). Spektakli dhe sensacioni – si veti kyçe të mediave argëtuese nuk akulturuan masat, por vetëm nxorën në sipërfaqe pa maska dhe moralizime natyrën e tyre. Sensacioni është vetëm atëherë i tillë kur masat e perceptojnë ashtu. (Mediologët amerikanë).

TEZA II – Deri para trazirave të 68-ës mediat kishin përgjegjësi (dhe operonin) për edukim të masave me mitet kombëtare, traditën, religjionet dhe sistemin politik në fuqi. Nga vitet e 70 e këtej mediat programet e tyre i ndërtojnë mbi tri parime krejtësisht tjera: argëtimin, emocionalizimin dhe oportunizmin.

Të parat manipulonin masat duke i mbajtur të burgosura në regresion dhe njëmendësi politike. Të dytat janë uzina të eskapizmit, çka do të thotë se i shërbejnë njeriut kryesisht për t’i ikur realitetit në krizë, për të imagjinuar botëra azili. Botëra ose të paarritshme ose të huaja ose akulturuese. Zgjedhje duhet të jenë mediat që ushtrojnë kritikë si korrigjuese të politikës dhe ekonomisë, që pasqyrojnë revoltën dhe sukseset dhe Parasëgjithash që janë iluministe (modeli intelektual).

ANTITEZA II – Mediat e intelektualizuara do të çonin në situatën e para 68-ës, pra do të ishin aty vetëm për elitat dhe do të përjashtonin masën e zakonshme. Nuk është problem i mediave emancipimi apo iluminimi i shoqërisë, por i politikës, e cila duhet të krijojë kornizat ligjore si për mediat ashtu edhe progresin e shoqërisë dhe nivelit arsimor të qytetarëve të vetë. Deri sa të ekzistojë «tregu i lirë» do të lulëzojnë gjitha variantet.

TEZA III – Mungesa e politikës dhe rregullave për masmediat bëhet e rrezikshme dhe problematike në vendet në zhvillim apo në transicion. Pra në ato vende ku njeriu është në kërkim të mostrave, idoleve dhe shembujve jo vetëm të mbijetesës por edhe të suksesit. Nga studime të ndryshme në lidhje me konsumimin e mediave në vendet postsocialiste rezultatet janë shqetësuese; ndikimi i telenovelave, yjeve, estradës, serialeve, drejtimeve të caktuara muzikore (sidomos ato me fjalorin banal = reperët) kanë një ndikim të madh jo vetëm në formimin e mënyrës së komunikimit të përditshëm, por edhe në krijimin e identiteteve të reja, subkulturave dhe projeksioneve të natyrave të ndryshme që më shumë çrregullojnë se sa çlirojnë një shoqëri. Ndoshta janë edhe këto studime që kanë ndikuar në ashpërsimin e ligjeve për media në vendet perëndimore. Viteve të fundit në shumicën e shoqërive perëndimore ligjet (për mbrojtjen e të rinjve, sferën private dhe të mirave kulturore) për ndarjen e koncesioneve, subvencioneve dhe frekuencave janë bërë rigoroze.

ANTITEZA III – Problemin që kanë sot vendet e Evropës Juglindore perëndimi i ka pasur viteve të 70 dhe 80-ta. Ato janë tejkaluar me arsimimin dhe emancipimin e masave.

Konkluzion

Entertainment ­- i vërtet ka ndikuar në pjesëmarrjen e më shumë njerëzve të zakonshëm në media, mirëpo sipas studimeve të shumta kjo është e gjitha. Anët negative i lënë ca kilometra pas ato pozitive. Situata bëhet edhe më dramatike për shoqëritë ku institucionet tjera të edukimit, arsimimit dhe iluminimit nuk funksionojnë si duhet apo fare. Shoqëritë e tillë janë më afine, më të hapura për ndikime të të gjitha llojeve e sidomos atyre që i shpërndajnë si stil, gjuhë, (a)kulturë, synim dhe sukses mediat. Mediat kanë përgjegjësi publike. Mirëpo ato edhe duhet të mbijetojnë ekonomikisht. Disa nga vendet e kanë zgjedhur këtë problem nëpërmjet një bashkëpunimi konstruktiv ndërmjet shtetit, mediave, shoqërisë civile dhe institucioneve të edukimit.

Related

Çibani gjerman në trurin shqiptar

Merkel zgjodhi Beogradin si qendrën nga ku i dha...

Filoborati këshillon Demë Gogën

Kosova është model sepse refuzon nacionalizmin evropian dhe për...

Albin Kurti si projeksion i një mentaliteti në huti

Asgjë sot nuk bëhet më pa projekt. Intelektuali që...

Aura e Mesias dhe autoriteti i Mahmutit

Kur kritikon qeverinë të thonë prit se herët. Sikur...

Fanatikët kërcënojnë Laviatanin

Në Obiliq zyrtari ngacmon seksualisht një grua. Dënimi: kod veshjeje për qytetarët. Në Gjakovë një autor bën thirrje dhe nxit kundër myslimanëve. Dënimi: policia vepron pa procedurë ligjore si në Afganistan dhe e burgos atë. Në Tiranë; një humorist bën shaka me ezanin. Dënimi: xhemati i një imami radikal salafist bën ligjin sferave publike. Këto veprime nga sekularët dhe tjerët lexohen si tendencë për të instaluar sheriatin. Shteti dhe mediat ose heshtin ose luajnë indiferentin. Si duket me qëllim: sa më shumë provokime aq më keq për myslimanët. Gjersa radikalët besojnë të pushtojnë shoqëritë myslimanët duhet të kenë frikë për lirinë dhe xhamitë e tyre. Pse?