Vepër monumentale për Sartrin

Jean-Paul Sartre është mendimtari kryesor i shekullit 20. Filozofi i njohur francez Bernard-Henri Lévy ka shkruar biografinë e krijuesit të teorisë së ekzistencializmit. Libri i tij «Shekulli i Sartr-it», konsiderohet si biografia më e suksesshme dhe më objektive që është shkruar ndonjëherë.

«Biografia e Bernard-Henri Lévy e bën Sartrin përsëri të gjallë», thotë kritiku i njohur gjerman Wolf Lepenis. Edhe më shumë se kaq. Biografia e Lévy-t na jep për herë të parë mundësinë që ta kuptojmë «fenomenin Sartre» më mirë se sa në kohën kur ai edhe fizikisht – mbështetur për dashnores së tij Simone de Beauvoir – endej rrugëve të Parisit.

«Shekulli i Sartrit» (Le siécle de Sartre) quhet libri voluminoz i H – B Lévy-t, i cili me të drejtë nga kritika konsiderohet si kryevepra e biografive. «Lévy ka shkruar një libër që si të tillë deri tani askush s’ka mundur ta shkruajë: një gurthemel në fushën e intelektualizmit», shprehet i fascinuar komentuesi i njohur gjerman i biografive Georges Neuvecelle.

Për filozofin ekzistencialist Jean-Paul Sartre deri më tani janë shkruar qindra biografi, portrete, ese e shumëçka tjetër, përse Lèvy doli më i suksesshmi, ngadhënjeu mbi gjithë të tjerët duke bërë biografinë kapitale (deri më tani) mbi intelektualin, filozofin, shkrimtarin dhe njeriun më paradoksal të epokës sonë? Për arsye se ka qenë nxënësi i tij apo sepse më vonë u shndërrua në njërin nga kundërshtarët më të rreptë të filozofisë së tij?
«Isha tridhjetëvjeçar dhe para meje gjendej një kohë e pafundmë plotë iluzione, zhgënjime. E dija – dhe shpresoja – qysh atëherë se do të më mbetet kohë e mjaftueshme, se do të vijë një ditë kur do t’i hyjë në rrënjë historisë së komplikuar, paradoksale dhe të errët që mban emrin Sartre». Kjo është njëra ndër arsyet përse biografia e tij është kaq e suksesshme: Ai jo vetëm se ka jetuar në të njëjtën kohë me Sartre, ka mësuar te ai, porse edhe i vë vetes si detyrë jetësore zbërthimin, shpjegimin e filozofisë së tij. Një vendim që mund të merret vetëm një herë në jetë, posaçërisht kur ke të bësh me një gjigant si Jean – Paul Sartre.

SARTRE DHE BEAUVOIR
Lévy librin e tij e hap me përshkrimin e ditës së varrimit të Sartrit. Atë ditë prilli kur para banesës së filozofit në bulevardin Edgar Quinet grupe njerëzish qëndronin gati për të nisur marshin për në varrezat e Parisit. Vetë struktura e pjesëmarrësve në varrim, e cila është përbërë prej pakistanezëve, disidentëve sovjetikë, sindikalistëve të majtë, grupacioneve të djathta, përfaqësuesve të postës, afrikanëve dhe aziatëve demonstron faktin se fjala e Sartrit kishte prekur e bërë për vete jo vetëm të gjitha shtresat shoqërore të jetës franceze, por edhe se «fjalët» e tij kishin arrirë në çdo kontinent dhe tek çdo popull i globit.
Në parathënien e Lévy-t, natyrisht paragrafi më prekës është imazhi i asaj gruas që rri ulur në krye të varrit të hapur, ashtu e përhumbur dhe pa asnjë lot në fytyrë. Gruaja që për shkak të dashurisë ndaj Sartr-it sakrifikoi veten me statusin e të qenurit hije: Simone de Beauvoir. Ajo që edhe sot e kësaj dite vazhdon të paguajë «llogaritë e hapura morale» për shkak të jetës së saj konkubine me mendimtarin kryesor të shekullit. Është kjo ajo gjysma e rëndësishme e Sartr -it (sidomos pas verbërimit të pjesërishëm të Sartrit viteve të fundit të jetës së tij) aq kapitale me të cilën Lévy e shkruan kapitullin e parë të librit të tij: Sartër dhe gratë! Ose më konkretisht: Jean-Paul Sartre dhe Simone de Beauvoir. Analiza e autorit mbi këtë lidhje, mbi këtë dashuri sjell një pasqyrë reale që përmbys të gjitha spekulimet e deritanishme – e veçanërisht ato që dolën pas publikimit të letrave të zonjës Beauvoir – për «Le Grande Sartreuse» (sartresha e madhe – poashtu emër i një likeri, pijeje alkoolike), siç thirret me shpoti Beauvoir. Sipas Lévy kjo lidhje parasëgjithash ka qenë një përbashkim i dy intelektualëve të barabartë dhe më shumë ka qenë një dashuri filozofike se sa diç tjetër. Faktin se ka qenë kështu autori e ilustron me krijimtarinë e Simone de Beauvoir në kohën postsartrine, me shkrimet që nuk mund të jenë tablo mendimesh të filozofit, madje pjesërisht kapërcejnë në drejtim të kundërt botëkuptimet e tij

«EKZISTENCA I PARAPRINË ESENCËS»
Sartre dhe Stendali, Spinoza, Hegeli, Nietzsche, Gide, Bergsoni e deri te Martin Heideggeri. Autori i biografisë zbërthen ekskursionet e mendimtarit si dhe shpjegon përse ai nuk gjente tek asnjëra nga filozofit ekzistuese stacionin ku mund të pushonte duke pranuar si të vlefshëm kuptimin e tyre. Pse Sartre mendonte se teoritë e bëra mbi ekzistencializmin (Jaspers dhe Gabriel Marsel) s’vlenin fare. As teoria e «idolit» të tij Heidegger “Qenia dhe koha” nuk ishte ajo që ai kërkonte. Sartre nuk pranonte mendimin jaspersian se qenia është e kushtëzuar nga besimi, religjioni e as atë të Heidegger-it se identiteti racor, nacional e etnik qenka përcaktuesi i rolit të qenies në kohë. Ky mendon se njeriu ekziston para se të jetë, pra «ekzistenca paraprinë esencën». Së pari duhet të jesh e pastaj mund të zgjedhësh se nga çka do ta bësh të varur kuptimin e qenies sate. Lévy, që edhe vetë është një filozof me famë botërore dhe njihet si kundërshtar i teorisë sartriane, lavdëron këtë përkufizim të mësuesit të tij të dikurshëm si tejet logjik e praktik, sidomos në epokën moderne ku liritë njerëzore luajnë një rol të veçantë në zhvillimin e shoqërive.

«SHTETI MOBIL»
Lévy në kapituj të tërë përqendrohet në zbërthimin e atyre paradokseve të shumta të këtij filozofi, të cilat për shumkë janë kokëçarëse, të pakuptueshme, të papërcaktueshme. Ishte Sartri një skizofren që brenda një ditë barte me vete disa personalitete: herë komunist, herë përkrahës i diktaturave të djathta e kështu me radhë.
«Si mundej një filozof radikal e i majtë siç ishte Sartri të gjej frymëzim tek teoritë e dyshimta të Martin Heidegger -it? Si mundej Sartri i Revoltës, i cili me përkushtim kishte përkrahur nacionalistët algjerianë në luftën e tyre për pavarësi, të bëhet një zëdhënës po aq fanatik i Fidel Castros? Si kishte mundësi t’i quajë hungarezët “popull i papjekur” kur ata, gjatë vitit 1956, u çuan kundër diktaturës? Pse e akuzonte Hrushovin të ketë bërë një gabim të madh, në kohën kur ky përpiqej të demaskojë krimet staliniste? Për çfarë arsye e quajti Solzhencinin “element të dëmshëm”», pyetet me të drejtë Bernard- Henri Lévy duke konstatuar se kanë ekzistuar dy J.P Sartre, dy fryma me një kokë, përafërsisht si ai përbindëshi tek Moby Dick, i cili poashtu si shkrimtari dhe filozofi kishte sy të shpërndarë larg njëri tjetrit – një lloj çiklopi. Kritika e Lévy në këtë drejtim është e ashpër dhe therëse, mirëpo ajo shpreh edhe një segment tjetër. Sartre ka qenë një si «shtet mobil»: Kur Franca ka marrë ndonjë qëndrim tjetërfare – nga ai siç ka menduar Sartri – ndaj ndonjë shteti, ai, menjëherë ka shkuar atje dhe duke u ulur pranë shefave të atyre shteteve, ka folur në emër të një France tjetër, ndryshe, pra si një lloj instituti për balancim, paraqitje, e cila shpesh, ka qenë më e rëndësishme se sa vetë politika zyrtare franceze.

GËNJESHTRAT NË KURRIZ TË LETËRSISË

Mbi të gjitha apeli i Lévy është fare i qartë: «çka sot mbetet janë veprat e tij. E pikërisht kjo është më e rëndësishmja». Nga ky konkluzion nis edhe analiza mbi Sartre letrar. Veprimtaria e Sartrit është po aq voluminoze sa edhe teoria e tij filozofike. Lévy, biografinë «Fjalët» të Sartrit e kualifikon si një «gënjeshtër në kurriz të letërsisë; ku autori është aq i dashuruar në fjalë, saqë me plot mjeshtri artistike i vret ato». Nga ky botëkuptim mbi letërsinë ai mohon çmimin Nobel, kështu duke vënë në dyshim kompetencën e këtij instituti për të vlerësuar letërsinë. Letërsinë e tij. Shkencëtarët që kanë vlerësuar veprat – sipas tij – nuk janë ende në gjendje t’i kuptojnë ato, nuk e dinë se për çfarë bëhet fjalë aty, prandaj çmimi i tyre është i pavlefshëm. Gjithçka në funksion të karakterit kontradiktor të Sartre. Mirëpo gjithë kjo – sipas Lévy – është material që i hyjnë në punë një biografie, por jo edhe nivelit parnasian të letërsisë së këtij shkrimtari që aq shumë ndikoi në formimin e vetëdijes së shekullit të fundit. Ai për Lévy-n mbetet intelektuali absolut i shekullit.
Libri i Bernard – Henri Lévy përmbyllet në të njëjtën mënyrë siç hapet: në ceremoninë e varrimit të Sartrit. «Sot ka vdekur një djalë i ri», thotë një këngëtare plakë, të cilës Sartri ia ka shkruar tekstet e këngëve, ndërsa Parisi mblidhet i tëri përreth një varri duke pëshpëritur: «Ky plak ishte i riu jonë».

Related

Çibani gjerman në trurin shqiptar

Merkel zgjodhi Beogradin si qendrën nga ku i dha...

Filoborati këshillon Demë Gogën

Kosova është model sepse refuzon nacionalizmin evropian dhe për...

Albin Kurti si projeksion i një mentaliteti në huti

Asgjë sot nuk bëhet më pa projekt. Intelektuali që...

Aura e Mesias dhe autoriteti i Mahmutit

Kur kritikon qeverinë të thonë prit se herët. Sikur...

Fanatikët kërcënojnë Laviatanin

Në Obiliq zyrtari ngacmon seksualisht një grua. Dënimi: kod veshjeje për qytetarët. Në Gjakovë një autor bën thirrje dhe nxit kundër myslimanëve. Dënimi: policia vepron pa procedurë ligjore si në Afganistan dhe e burgos atë. Në Tiranë; një humorist bën shaka me ezanin. Dënimi: xhemati i një imami radikal salafist bën ligjin sferave publike. Këto veprime nga sekularët dhe tjerët lexohen si tendencë për të instaluar sheriatin. Shteti dhe mediat ose heshtin ose luajnë indiferentin. Si duket me qëllim: sa më shumë provokime aq më keq për myslimanët. Gjersa radikalët besojnë të pushtojnë shoqëritë myslimanët duhet të kenë frikë për lirinë dhe xhamitë e tyre. Pse?