Antithesis: Gafa e Shqipërisë etnike

Përveç atyre që besojnë se sa më radikalë të bëhen aq më e dukshme do t’iu bëhet silueta publike, askush vërtet nuk beson në idenë e vjetruar të rilindëseve shqiptarë. Kundër tezës së krijimit të së ashtuquajturës «Shqipëri etnike» flasin një mori faktesh. Shumica e tyre nuk kanë të bëjnë më faktorin ekstern, siç pandehin shumica e analistëve, por janë argumente interne. Pse shqiptarët kanë hequr qëmoti dorë nga teza e lartpërmendur. Disa teza dhe antiteza.

Në Tiranë e Prishtinë (kujt i kujtohen polemikat e Halil Matoshit me etnonacionalistët) disa herë u nis një debat publik rreth çështjes se sa aktuale është kërkesa e disa qarqeve e individëve shqiptarë për krijimin e Shqipërisë Etnike, pra asaj Shqipërie që sipas diskursit në fjalë, do të përbënte një shtet në të cilin do të jetonin të gjithë shqiptarët e Evropës Juglindore. Debati u përmbys, nga njëra anë për shkak të sjelljes joserioze publike nga ana e ithtarëve të idesë  megashqiptare e nga ana tjetër se në të nuk u kyçën edhe intelektualë tjerë të kthjellët, kështu duke lënë Halil Matoshin të vetëm.

Kohëve të fundit sërish është shtuar tendenca e brohoritjes së zëshme të parullës së vjetër. Sidomos Lëvizja «Vetëvendosja» e Albin Kurtit  ndihmon duke zgjuar lugetërit e vjetër të ideologjisë etnonacionaliste. Dhe jo vetëm ajo. Organizata minore politike dhe individë me autoritet në katunde të ndryshme të Maqedonisë Perëndimore përpiqen që idenë e «Shqipërisë etnike» ta manifestojnë si bosht të programit të tyre politik. Në realitet kemi të bëjmë me një rikonstruktim, që vetëm mantelin e ka të modës e që në substancë është e njëjta gafë e vjetër politike. Pse gafë? Sepse ideja nuk është më komode as si mjet për zbavitje retorike. Megjithatë ia vlen ta dekonstruktojmë idenë dhe të shohim se cili është synimi i agjituesve të sajë.

ANTITEZA E PARË: VULLNETI POLITIK

Para do ditësh presidenti shqiptar në një intervistë për të përditshmen «Tagesanzeiger» të Zürich-ut , pyetjes së Enver Robellit rreth bashkimit kombëtar iu përgjigj me një «jo» kategorike, duke nënvizuar se me shpalljen e Kosovës shtet i pavarur, kufijtë në Ballkan janë vizatuar përfundimisht. Deri sot ende nuk më ka rënë – përveç atyre monologëve publicistikë dhe vetëm në kohëra opozite të Arbër Xhaferit -që ndonjë përfaqësues legjitim shqiptarë, qoftë në Kosovë, Maqedoni apo Shqipëri të ketë sinjalizuar opsionin për ta modernizuar programin njëfletësh (dekalogun) të ballistëve në një program adekuat për shqiptarin e shekullit njëzet e një.

As organizatat si «Vetëvendosja», as ato celulat megashqiptareske në katundet e Pollogut dhe as individët që gëzojnë një autoritet publik e që i rrahin telit të etnocentrizmit, përveç se në ndonjë periferi të trurit të guruve të tyre nuk kanë asgjë konkrete se si do të na dukej një aksion i tillë. Aksioni gjithëshqiptar për realizimin e ideologjisë, e cila që nga koha e rilindësve nuk ka mundur t’i kalojë kufijtë e një letre të madhësisë A4.

Njëra nga parullat më interesante dhe gati qesharake që del nga goja e këtyre prepotentëve politikë, kur pyeten se ku e kanë bazën e një kërkese të tillë, është: «Populli e donë bashkimin». Cili popull? Si shprehet një popull?

ANTITEZA E DYTË: ASPEKTI PSIKOLOGJIK I MASAVE

Leksioni i parë i demokracisë dhe pluralizmit: Populli përfaqësohet nëpërmjet subjekteve të tij politike, të cilat i zgjedh me shumicë. Tash parashtrohet pyetja: pse ai populli komplet i etnonacionalistëve nuk i zgjedh ata gurutë, politikanët- parti e shtet vetë dhe organizatat që mezi marrin frymë nga vuajtjet e mëdha që ua shkakton jeta e shqiptarëve nëpër «vilajete» të ndryshme, por zgjedh Sali Berishën ose Edi Ramën, Ali Ahmetin ose Arbër Xhaferin me hijen e tij, Hashim Thaçin ose njërin nga ata konkurrentët brenda LDK-së. Asnjëra nga këto forca politike e njerëz (së paku kur marrin pjesë në pushtet) nuk e shohin idenë e «Shqipërisë etnike» as si element interesant elektoral apo madje as si vetëzbavitje retorike. Përveç kësaj, çdonjëri prej nesh ka kontakte me kapuçbardhë si vetë, andej e përtej kufijve. I është dashur dikujt prej nesh t’i pijë do litra raki për ta dehur dhimbjen e shkaktuar nga vaji i vëllezërve tironas, tetovarë a gjakovarë , të cilët veçse nuk plasin duke pritur momentin më të lumtur të ekzistencës së tyre? Nuk na merr mendja.

ANTITEZA E TRETË: REPETICIONE MBI POLITIKËN NDËRKOMBËTARE

Ndoshta shqiptarët duhet t’ia bëjnë si të parët e tyre para rilindësve dhe t’i kthehen oralitetit. Mendoj ta mësojnë historinë e tyre më të re (1989 – 2009) përmendsh. Nëse jo për diçka tjetër, atëherë si medikament imunizimi ndaj ideologëve që ende nuk kanë mbërritur në epokën digjitale.  NATO dhe SHBA – përkundër stërqitjeve të disa qeverive evropiane, Kinës, Rusisë e ca sateliteve tjera brenda globit – e sollën Kosovën këtu dhe kështu si gjendet – pa mohuar në këtë kontekst kontributin e shqiptarëve në këtë plan. Këto organizma e vende as që duan të dëgjojnë për ringjalljen e strategjive e programeve të bazuara në gjene etnike e zinxhirë biologjikë ushqimi politik. Bashkësia Ndërkombëtare (cilado instancë) dhe vendet e evroperëndimit nuk e preferojnë ndryshimin e kufijve, dekonstruktimin e shteteve ekzistuese apo rikonstruktimin e shteteve të reja. E gjitha bota si duket nuk e donë «Shqipërinë etnike».

REKAPITULLIM

Qytetarët e katundarët shqiptarë nuk paskan kohë të vuajnë e dehen për një idê koti. Bota jashtë gardhit të nahijeve shqiptare as që donë të dëgjojë për aksionet e unitaristëve minorë që vërdallen skutave të Ballkanit e xhunglave të Koréve. Partitë më të mëdha e më të vogla e dinë që një ide e tillë nuk ndez dhe ka për bazë një ideologji që bie ndesh me të gjitha idealet republikane, kantiane e me të gjitha konventat e mundshme që përpiqen t’ia heqin racës njerëzore syzet e biologjizmave.

Përkundër respektit ndaj Albin Kurtit dhe «Vetëvendosjes», duhet të themi se ajo nuk del e sinqertë siç kemi menduar deri tani. Nuk i dinë gjithë këto Albin Kurti dhe Lëvizja e tij? Nëse i dinë e megjithatë i bie tupanit të idesë etnobiologjike, atëherë tallet me miletin. Bën gafë.  

Related

Çibani gjerman në trurin shqiptar

Merkel zgjodhi Beogradin si qendrën nga ku i dha...

Filoborati këshillon Demë Gogën

Kosova është model sepse refuzon nacionalizmin evropian dhe për...

Albin Kurti si projeksion i një mentaliteti në huti

Asgjë sot nuk bëhet më pa projekt. Intelektuali që...

Aura e Mesias dhe autoriteti i Mahmutit

Kur kritikon qeverinë të thonë prit se herët. Sikur...

Fanatikët kërcënojnë Laviatanin

Në Obiliq zyrtari ngacmon seksualisht një grua. Dënimi: kod veshjeje për qytetarët. Në Gjakovë një autor bën thirrje dhe nxit kundër myslimanëve. Dënimi: policia vepron pa procedurë ligjore si në Afganistan dhe e burgos atë. Në Tiranë; një humorist bën shaka me ezanin. Dënimi: xhemati i një imami radikal salafist bën ligjin sferave publike. Këto veprime nga sekularët dhe tjerët lexohen si tendencë për të instaluar sheriatin. Shteti dhe mediat ose heshtin ose luajnë indiferentin. Si duket me qëllim: sa më shumë provokime aq më keq për myslimanët. Gjersa radikalët besojnë të pushtojnë shoqëritë myslimanët duhet të kenë frikë për lirinë dhe xhamitë e tyre. Pse?