Eutopitë shqiptare

Shqiptarët kapen për utopive, qendrave e kulturave tjera jo për të bërë shamatë, por për t’iu ikur qoftë edhe vetëm nëpërmjet fantazisë qeverive të pacipëta që i mbajnë peng.

Në romanin e tij, të shkruar latinisht në fillim të vitit 1516, Sir Thomas Morus e ka një fjali ku shpjegon se titulli i librit «Utopia» (vend inekzistent) lirisht mund të zëvendësohej me «Eutopia» (vend i mirë). Nëpërmjet këtij sqarimi dhe pozitës prej burrështetasi të Morus-it kuptojmë se pse autori veprën e tij e maskon me aq irealitet, jo vetëm për atëherë por edhe për këtëherë. Kontrasti na lejon zhytjen. Morus është burrështetas i një «Dystopie» (anti-utopia, vend i keq). Gjendja politike e Evropës së atëhershme ishte katastrofale. Qendrat kryesore të kontinentit digjeshin flakë nga topat e religjioneve. Vendin e autorit e udhëhiqnin grykësit, danditë, despotët që mjeshtri kishin zhgjakjen e të varfërve, krimin, korrupsionin, shtypjen dhe që nga shpirti refraktar vrisnin çdo ide përparuese sapo shfaqej në syprinë. Të diturit përhimnonin pronarët sipas qeses e të paditurit nuk i zinin kishat luftarake.

Pasi nuk ka ku ik realisht Morus përandit imagjinatën në ishullin e tij gjoja «protokomunist» Utopia. Sapo ta sterilizojmë librin nga angullimat simbolike përballemi me kërkesat kyçe të Morus-it. Ai kërkon luftimin e intolerancës fetare, barazinë ndërgjinore, garantimin (jo patjetër financimin) e të drejtës në arsim për të gjithë dhe barazinë e secilit para drejtësisë. Se kjo nuk është utopi por eutopi në BE dhe vendet tjera perëndimit shqiptarët jo vetëm që e dinë por edhe e kanë përjetuar.
Gjendja e shqiptarit sot është po aq e bataktë si ajo Thomas Morus-it asokohe. Një pjesë e shqiptarëve ikjen e realizojnë realisht duke emigruar e shumica e bën atë si Morus: me frymë e shpirt! Do ndiejnë Evropën dhe SHBA-të të jenë Eutopia e tyre, tjerët rrëfaten drejtimeve tjera; ca ndalen në Stamboll e të tretët kanë mbërri tashmë në Riad, Vatikan e Mekë.

MEDIAT DHE DISKURSET
Dhe shqiptarët si edhe mbi temat tjera nuk debatojnë pse-në e kësaj teposhte permanente, por gjykojnë garueshëm e potershëm Thomas Morus-ët tanë, të cilët të shtyrë nga ekzistenca barkboshe, paperspektiva dhe diskriminimi kanë krijuar ishujt e tyre fiktivë. Ndërsa mediat edhe kësaj radhe nuk kanalizuan dhe udhëhoqën debatin por qysh në prelud e bajgëzuan atë. Fatkeqësisht!

Mprehja e shpatave ndërmjet «nahive» për të identifikuar e lokalizuar taborët brenda mendësisë për historinë, religjionet dhe Turqinë ishte e domosdoshme dhe e dobishme edhe për analizimin e raportit të shoqërive shqiptare me Evropën, respektivisht Bashkësinë Evropiane. Këtë segment e kishin filtruar edhe analistët e institucioneve të BE-së.

Brenda shumicës u ekspozuan katër rryma kryesore që përbëjnë relacionin shqiptar në këtë kontekst. E para [patriotët] integrimin e plotë në BE e konsideron aspiratë të natyrshme të një vendi e kulture që historikisht paska qenë promotorë e aktualisht padrejtësisht është protezë e kontinentit. E dyta [pjesa e motivuar fetarisht]  e percepton dhe eteron idenë evropiane si një «projekt të krishterë» që duhet zhvatur financiarisht e që paskëtaj duhet shporrur apo tjetërsuar përsëbrendi, ngase jo në Evropë është gama e identitetit të tij por diku tjetër, ku synon të emigrojë. E treta me integrimin në BE beson në konsolidimin juridik e demokratik të shoqërive shqiptare [shumica e intelektualëve] çka implikon automatikisht mirëqenien, drejtësinë dhe shkuljen e tëharrave socialdarviniste nga fryma shqiptare. E katërta përbëhet nga të rinj të ndikuar nga teoritë postkoloniale që diktatet e Brukselit i konsiderojnë formën më të re të imperializmit.

ANALIZA
Pa filozofi:
askush nuk ikë as realisht as me fantazi vullnetarisht nga shtëpia. Ose grupi i atyre që organikisht s’duron mendësi e farefisni është fare simbolik. Me histori: Të gjitha dyndjet e mundshme (jashtë pushtimeve, sepse shqiptarët nuk imagjinojnë a dëshirojnë vende për t’i pushtuar por për të shpëtuar) janë nxitur nga dhuna politike, ekonomike, grupore etj. Me Biokimi dhe psikologji: jo vetëm qenia humane por frymorët në përgjithësi instinktivisht nisen udhëtimit sapo t’i kap frika e ekzistencës. Me filozofi: «Esenca e lirisë së njeriut nuk përbëhet nga parimi se mund të bëjë çka të dojë, por nga parimi të mos detyrohet ta bëjë atë që nuk donë ta bëjë» (Jean-Jacques Rousseau).

Nisur nga kjo premisë duhet kërkuar shpjegimin e katër kategorive ekzistuese në raport me idenë evropiane të cilët deshën apo s’deshën shqiptarët të shtëpisë e kanë (qoftë edhe vetëm gjeografikisht).

Të parët [patriotët] pëlqejnë metaforën e të qenurit protezë e kontinentit, ngase nuk duan të pranojnë paaftësinë e shoqërive të tyre për të hyrë në klubin e atyre që kanë plotësuar kërkesat themelore të Thomas Morus-it. Të dytët [pjesa e motivuar fetarisht]  nuk donë të kuptojë se BE nuk është ent social ku arkëtaret naivë u shpërndajnë të holla «skamnorëve» të zgjuar. Përveç se një qëndrim i tillë përdhos çdo moral, ai është iluzion. Evropa nuk është e fortë sepse qenka në duart e atyre që janë duke realizuar «projektin e krishterë». E kundërta është realiteti: Shtetet kryesore të BE janë të forta sepse kanë shkolluar masat e tyre deri në atë shkallë saqë të jenë të zot të lirisë dhe mirëqenies së tyre. «Marrja e kalasë nga brenda» është matematikë e gabuar, sepse integrimi i individit në Evropë bëhet detyrueshëm nëpërmjet shkollimit dhe integrimit, kështu që fanatikët e çdo lloji janë të paradënuar pa ato turmat e nevojshme që verbërisht do t’iu ecnin pas. Dyshimet e grupit të katërt, atyre që druajnë nga globalizmi imperialist nuk janë të paarsyeshme. Kontradiktorë brenda këtij grupi janë «çegevaristët» që luftojnë imperializmin liberal me internacionalizmën komuniste. E treta është e vërteta. Grupi i tretë, eurosimpatizantët janë pragmatikë. Këta besojnë në atë që ndoshta duhet shkruar për çdo ditë mureve shqiptare: konsolidimi i shtetit të së drejtës dhe demokracisë!

S’ka alternativë tjetër që s’do të ishte miope. Rruga e vetme shqiptare detyrueshëm është Evropa qoftë si ide e qoftë si BE. Çdo skenar tjetër është utopi. Meqë distopitë qenkan tunelet e vetme nëpërmjet të cilave shqiptarët u dashka të dalin në eutopitë e tyre, atëherë po qenka e qartë çka duhet bërë. S’ka tjetër zgjidhje as larg, as afër as imagjinueshëm e as zgjuar!

Related

Çibani gjerman në trurin shqiptar

Merkel zgjodhi Beogradin si qendrën nga ku i dha...

Filoborati këshillon Demë Gogën

Kosova është model sepse refuzon nacionalizmin evropian dhe për...

Albin Kurti si projeksion i një mentaliteti në huti

Asgjë sot nuk bëhet më pa projekt. Intelektuali që...

Aura e Mesias dhe autoriteti i Mahmutit

Kur kritikon qeverinë të thonë prit se herët. Sikur...

Fanatikët kërcënojnë Laviatanin

Në Obiliq zyrtari ngacmon seksualisht një grua. Dënimi: kod veshjeje për qytetarët. Në Gjakovë një autor bën thirrje dhe nxit kundër myslimanëve. Dënimi: policia vepron pa procedurë ligjore si në Afganistan dhe e burgos atë. Në Tiranë; një humorist bën shaka me ezanin. Dënimi: xhemati i një imami radikal salafist bën ligjin sferave publike. Këto veprime nga sekularët dhe tjerët lexohen si tendencë për të instaluar sheriatin. Shteti dhe mediat ose heshtin ose luajnë indiferentin. Si duket me qëllim: sa më shumë provokime aq më keq për myslimanët. Gjersa radikalët besojnë të pushtojnë shoqëritë myslimanët duhet të kenë frikë për lirinë dhe xhamitë e tyre. Pse?