Ali Ahmeti

«Kur del këndej jashtë, nga fjalimet dhe qëndrimet na le përshtypjen të jetë më patriot maqedonas se sa Gruevski dhe çdo politikan tjetër i etnisë shumicë»

PSIKOGRAFI PRIMATËSH (VIII)/ Edhe njerëzit që dikur i ka pasur bashkëmilitantë, familjarë dhe miq e akuzojnë të jetë tjetërsuar për të keq. Ali Ahmeti ka biografi josensacionale mirëpo zhbiruese. Ajo përmban episode të cilat e shfaqin dikur të ketë qenë «eminenca gri» e lëvizjeve marksiste diasporës shqiptare dhe sot e shpalojnë të jetë faktor relevant i ndonjë province të papeshë në politikën e kontinentit. «Kur del këndej jashtë, nga fjalimet dhe qëndrimet na le përshtypjen të jetë më patriot maqedonas se sa Gruevski dhe çdo politikan tjetër i etnisë shumicë», kështu njëri nga diplomatët në Bruksel që e ka takuar disa herë shefin e BDI-së. Është e vërtetë se statement – et jashtë e me të huaj të aktivistit të dikurshëm të LPK-së në perëndim janë apele për kyçjen sa më urgjente të Maqedonisë në BE dhe NATO. Është kjo dëshirë e pastër e një «qytetari» luajal ndaj shtetit; mendon se nëpërmjet këtyre integrimeve do të sigurojë barazinë e etnisë së tij me shumicën në pushtet apo ka ndonjë strategji ende të padekonspiruar që do të habisë shumëkë?

ZAJAZ – PRISHTINË

Studenti i ardhur nga rrethi i Kërçovës shpejt bie në kontakt me militantë të grupit «marksist-leninist të Kosovës». Referencën për këtë kyçje ia jep daja i tij Fazli Veliu që vite më herët, përderisa kishte studiuar Letërsinë në Prishtinë, ishte rekrutuar nga grupi në fjalë. Arrestohet dhe dënohet. Pas një viti burg ikë për në Zvicër ku i bashkëngjitet «Lëvizjes për republikë socialiste në kuadër të Jugosllavisë». Në fillim vepron si «asistent» i dajës së tij Fazli Veliu dhe Emrush Xhemajlit. Po në këtë funksion merr pjesë në mbledhjen shumë të përfolur nga shërbimet e huaja gjoja se aty është vendos për opsionin e luftës, takim që mbahet në Klubin «Përparimi» (1992) të Zürich-ut e ku merrnin pjesë Fazli Veliu, Emrush Xhemajli, Gafur Elshani me ministrin e atëhershëm të qeverisë kosovare në egzil Ramush Tahiri. Poashtu prezent  në të njëjtin funksion merr pjesë edhe në mbledhjen «themeluese» të UÇK-së që mbahet një vit më vonë në prani të Azem Sylës, Sokol Bashotës, Kadri Veselit, Hashim Thaçit, Xhavit Halitit, Xheladin Gashit dhe Lah Ibrahimit. Gjatë luftës në Kosovë është njëri nga aktivistët e fondit parembledhës «Vendlindja thërret» dhe agjitator për rekrutimin e të rinjve për në Kukës.

LUZERN – ZAJAZ

Në vitin 2001 kur mban konferencat e para të shtypit në Shipkovicë dhe Selcë të Tetovës si komandant suprem dhe zëdhënës i UÇK për Maqedoni, SHBA-të, BE dhe Zvicra e fusin në listat e zeza të tyre o si «persona non grata» o si «terrorist». Vende e qeveri të cilat muaj më vonë e ftonin për të biseduar rreth një marrëveshjeje sllavo-shqiptare në Maqedoni. Pas garancive që merr me Marrëveshjen e Ohrit për «legalizim» e grupeve të tij në parti politike Ali Ahmeti shpartallon UÇK-në, vesh kollaren, ndahet nga daja dhe shumë miq tjerë dhe në vitin 2002 formon partinë e tij «Bashkimi Demokratik për Integrim». As sot e kësaj dite ai dhe partia e tij nuk kanë arritur t’u shpjegojnë shqiptarëve të atjeshëm se për ç ‘integrimi e kanë fjalën: integrim të shqiptarëve në sistemin etnokratik të shumicës joshqiptare; integrimin e Maqedonisë në organizatat supranacionale apo integrimin e shqiptarëve të Maqedonisë në ndonjë «Shqipëri etnike» eventuale siç e propagandojnë etnonacionalistët nga Prishtina dhe Tirana? Ndoshta mosshpjegimi është strategji për ta krijuar me qëllim pikërisht këtë konfuzion dhe kërcënim multi-interpretues, i cili është efektiv në çdo situatë gjeopolitike dhe elektorale. Nëse kjo ide a strategji e «djallëzuar» qëndron, atëherë ajo nuk i besohet kapacitetit të Ali Ahmetit, por ndonjë qendre me më shumë kompetenca analitike dhe operative se ç ‘mund të jetë kryesia e BDI-së me shefin e saj.

ANALIZA: Në çështjet patriotike: Oportunist dhe konfuz. Në politikë: Lavdëron demokracinë dhe pluralizmin, vepron si etnokrat arkaik dhe vazhdon të besojë në komunizmin. Perceptimi jashtë: I dëgjueshëm, i besës dhe i nevojshëm. Perceptimi brenda: Ithtarët e shfrytëzojnë, kundërshtarët e nënvlerësojnë, neutralët konsiderojnë se për momentin s’ka «më të mirë». Ethosi: Ateist. Karakter sipërfaqësisht i butë e thellësisht injorues. Diagnoza: Ali Ahmeti, për shkak të mungesës së alternativave serioze, edhe për një kohë do të mbajë timonin e shqiptarëve e Maqedonisë.

NOTA JONË: Mjaftueshëm!

Related

Çibani gjerman në trurin shqiptar

Merkel zgjodhi Beogradin si qendrën nga ku i dha...

Filoborati këshillon Demë Gogën

Kosova është model sepse refuzon nacionalizmin evropian dhe për...

Albin Kurti si projeksion i një mentaliteti në huti

Asgjë sot nuk bëhet më pa projekt. Intelektuali që...

Aura e Mesias dhe autoriteti i Mahmutit

Kur kritikon qeverinë të thonë prit se herët. Sikur...

Fanatikët kërcënojnë Laviatanin

Në Obiliq zyrtari ngacmon seksualisht një grua. Dënimi: kod veshjeje për qytetarët. Në Gjakovë një autor bën thirrje dhe nxit kundër myslimanëve. Dënimi: policia vepron pa procedurë ligjore si në Afganistan dhe e burgos atë. Në Tiranë; një humorist bën shaka me ezanin. Dënimi: xhemati i një imami radikal salafist bën ligjin sferave publike. Këto veprime nga sekularët dhe tjerët lexohen si tendencë për të instaluar sheriatin. Shteti dhe mediat ose heshtin ose luajnë indiferentin. Si duket me qëllim: sa më shumë provokime aq më keq për myslimanët. Gjersa radikalët besojnë të pushtojnë shoqëritë myslimanët duhet të kenë frikë për lirinë dhe xhamitë e tyre. Pse?