Truri ynë?!

Inteligjencia shqiptare: cilët sillen si intelektualë, mirëpo janë dandi pompozantë- kot; cilët janë ideplotë, por vetëm mendjebukur; cilët gropa e vetvetes dhe cilët vërtet duhen perceptuar meritueshëm.

Shoqëritë të cilat shkakun, arsyen dhe përparimin e tyre ia besojnë vetëm frymës sakralizuese të historisë, kulturës, të fesë dhe racës nuk përparojnë. Ose ecin zhurmshëm e nën grahmë, si ata kamionët e dërmuar kinezë udhëve krejt gropa të Shqipërisë së djeshme. Kjo nuk na pëlqen. Një popull pa dinamikë është pa përmbajtje dhe pa perspektivë. Këtë konstatim e di tashmë edhe puritani më i vrazhdët shqiptar, se nuk ka njeri, grup, as rreth e as shtresë, që nuk digjet nga dëshira e përhershme për të pasur brenda shoqërisë së tij mundësisht kokat më të ndritura të globit. Por, si t’ia bëjmë kur shoqëritë janë sintezë e grupeve etnike, religjioze, me gjuhë, rite, norma, rrëfime të përbashkëta, të cilat riprodhojnë për çdo ditë atë «kulturën» e përbashkët që atyre u jep kuptimin qendror ekzistencial? Dhe si zakonisht këto grupe, në përpjekjen e tyre për të ruajtur atë «kulturë», demonizojnë, djegin, përlajnë, shajnë e linçojnë çdo ide të re, që ua prek kanunin e trashur me vlerat e adaptuara ndër shekuj.

Tre rastet e fundit me protagonistët Fatos Lubonja dhe Arben Idrizi kundër «vrasësve, kriminelëve dhe popullit skizofrenik» dhe Baton Haxhiu në «polemikë» me radikalët islamikë e katapultuan mbi kulmet e mendësisë shqiptare dilemën më të re: nuk dinë intelektualët shqiptarë të komunikojnë intelektualisht, apo ai mozaiku që përbën «kulturën» e përbashkët të grupeve është i mbështjellë aq iplumbosur hekurt, saqë as më të hollën rreze drite nuk e lejon brenda? Të dyja diagnozat u përshtaten shqiptarëve. Grupet janë të blinduara hermetikisht dhe nga ana tjetër çdonjëri pretendon fronin e intelektualit, pa ditur apriori as vetë se çka kërkon saktësisht. I takojnë kësaj kategorie dandish zhurmëmëdhenj Lubonja edhe Idrizi, të dy këta që «rrëshqitën» duke thyer eshtra e copa të autoritetit të tyre, pra sepse nuk janë intelektualë? Nëse jo (ose po) këta, si duhet të duket intelektuali specifik shqiptar atëherë?

Edhe po mësuam nga të gjitha konceptet e mundshme filozofike mbi intelektualin, si nga ato të të urtëve: të Sangarit dhe Miletit, nga ato që na ligjëronin iluministët dhe modernistët francezë, anglezë e gjermanë dhe prej këtyre sot që na i recitojnë Žižek, Habermas, Agamben, Sloterdijk, Eagleton me kompani, nuk do të mundemi të gjejmë ndonjë rol më të madh të intelektualit, se sa ajo që shpaluam më lart: Intelektuali brenda një shoqërie është ura e kalimit mbi të cilin masat ecin drejt progresit! Ata duhet të jenë të atillë, që mes të zjarreve të shumta; ndërmjet të resë dhe të vjetrës, arkaikes dhe modernes, patriarkales dhe «normales», nacionalizmit të ngurtë dhe etnoplastikes, vuajnë, djersiten dhe kërkojnë formula përparimi, se si dhe me sa më pak drama e tragjedi t’i prijnë të vetët brenda garës së shoqërive për përparim.

Nëse edhe shqiptarët paskan pra intelektualë të tillë; kush janë ata? Kush perceptohet gabimisht si i tillë? Nuk e dimë! Pikërisht në kërkim të tyre jemi vënë ne të «Tribunës». Me një seri kollumnash do të përpiqemi t’i fusim në radioskopi, secilin veç e veç dhe të gjithë ata që nga ky apo ai grup i shoqërisë shqiptare konsiderohen si të tillë. Domethënë e kemi fjalën për intelektualë që me opinionet, esetë, studimet dhe paraqitjet e tyre bëjnë, formësojnë opinionin shqiptar. Do të analizojmë video, deklarata, tekste të tyre; do të studiojmë biografinë për t’ua kuptuar veprimet konkrete; do të asistohemi teorikisht nga Jung (jJo Freud), Fromm, Breuer, Adler, Lacan, SchulzvonThun, ThomasMetzinger, Zima, Breuer, Luhmann e shumë të tjerë, për të depërtuar në atë që kanë, atë që bëjnë; se a janë intelektualë dhe nëse megjithatë janë, atëherë, a i shërbejnë shoqërisë si urë, apo snobizmi, egoizmi dhe izma të tjerë i pengojnë, që më shumë të jenë gropë për veten dhe grupet që u prijnë, se sa shpëtimi i tyre.

Në këtë grup analizash nuk do të ketë përkufizime vlerësime klasike, si në ato për primatët politikë, por vetëm tri kategori: KOT për danditë pompozë dhe pa përmbajtje. GROPË – për ata që më shumë dëmtojnë veten dhe shoqërinë se sa ndihmojnë dhe URË – për ata që vërtet duhen dëgjuar.

Related

Çibani gjerman në trurin shqiptar

Merkel zgjodhi Beogradin si qendrën nga ku i dha...

Filoborati këshillon Demë Gogën

Kosova është model sepse refuzon nacionalizmin evropian dhe për...

Albin Kurti si projeksion i një mentaliteti në huti

Asgjë sot nuk bëhet më pa projekt. Intelektuali që...

Aura e Mesias dhe autoriteti i Mahmutit

Kur kritikon qeverinë të thonë prit se herët. Sikur...

Fanatikët kërcënojnë Laviatanin

Në Obiliq zyrtari ngacmon seksualisht një grua. Dënimi: kod veshjeje për qytetarët. Në Gjakovë një autor bën thirrje dhe nxit kundër myslimanëve. Dënimi: policia vepron pa procedurë ligjore si në Afganistan dhe e burgos atë. Në Tiranë; një humorist bën shaka me ezanin. Dënimi: xhemati i një imami radikal salafist bën ligjin sferave publike. Këto veprime nga sekularët dhe tjerët lexohen si tendencë për të instaluar sheriatin. Shteti dhe mediat ose heshtin ose luajnë indiferentin. Si duket me qëllim: sa më shumë provokime aq më keq për myslimanët. Gjersa radikalët besojnë të pushtojnë shoqëritë myslimanët duhet të kenë frikë për lirinë dhe xhamitë e tyre. Pse?