«Demarkacioni» si shans kundër «Kosovës perëndimore»

Për një kategori masive brenda politikës kosovare nuk bëhet fjalë vetëm për 8 mijë hektarë tokë. Për ata «demarkacioni» është shans për ta përmbytur shtetin properëndimor kosovar – qoftë edhe me dhunë! Kush është ajo kategori?

Kodi «Europa kurvë» – që për shqiptarët kishte të bëjë me padrejtësitë e të mëdhenjve – dikur u instrumentalizua nga bolshevikët për ta difamuar perëndimin si dekadent, borgjez, të degjeneruar (si ideja pansllaviste). Sot i njëjti kod nga pasardhësit e të parëve është «qytetëruar» në «ndërkombëtarët», i cili është edhe më i rrezikshëm në efekt se sa i pari, ngase tenton të difamojë «perëndimin», respektivisht Europën (kupto politikisht: oksidentin) si armike të shqiptarëve duke sugjeruar udhën tjetër (kupto politikisht: orientin) që kalon nëpër Turqi e drejtë Emirateve. Pra, aversioni kundër «ndërkombëtarëve», nuk është në parim vetëm ksenofob, por edhe indoktrinues drejt një drejtimi tjetër nga siç e kanë zgjedhur demokracitë shqiptare. E kjo në prapaskenë, në esencë ka bazament religjiozo-kulturor e jo ndonjë aspekt tjetër që ka të bëjë me ekonominë, lirinë apo diç tjetër. Në këtë kontekst e materializojnë sidomos ata që funksionojnë si ideolog të esktratëmajtëve kosovarë, që kryesisht janë jashtë kufijve të Republikës së sotme të Kosovës ose vijnë prej atje.

I.
Ka ende kryeintelektualë të majtë të botës perëndimore që besojnë në përsëritjen e «Revolucionit të Tetorit». Se pse kjo nuk ndez përkundër egërsimit brutal të kapitalizmit arsyetohet me rritjen e të së ashtuquajturës «shtresë e mesme» (ekonomikisht) dhe humbjes së «proletariatit». Pra nuk ekziston baza revolucionare- masat! Rishfaqjen e religjioneve, ky divizion mendimtarësh e morën si rast të shkëlqyeshëm për sigurimin e «proletariatit», respektivisht zëvendësimin e klasës punëtore me atë fetare për të ardhur sërish tek mundësia e shkaktimit të revolucioneve.
Ky paradoks ku duket sikur marksistët bëjnë simbiozë me fetarët (feja opium i masave) është vetëm kozmetik, ngase bëhet fjalë vetëm për instrumentalizim. Kështu besojnë pseudomarksistët. Gabim fatal. Ngase ndërkohë shtabe ekonomikisht miliardëshe që besojnë në «komunizmin» e tyre kanë blerë, infiltruar e përvetësuar intelektualë që bëjnë të kundërtën: instrumentalizojnë të majtën për të bërë revolucionin e tyre në emër të doktrinës religjioze. Siç është rasti tek shqiptarët dhe në Kosovë.

II.
Kah mesi i viteve të 90-ta, në të përditshmen “Bota sot”, që prodhohej kryesisht në Zürich, do të zhvillohet një debat i ashpër ndërmjet Teki Dervishit & Co. me dy autorë që shkruanin nga Tirana. Dy të fundit botuan dhjetëra artikuj në faqet e po të njëjtës gazetë ku punonte Dervishi dhe të cilët haptas kishin një mision: islamizimin e luftës shqiptare (të Kosovës) si opsion për t’iu kundërvënë regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Ky aksion i dy autorëve ndodhte paralelisht me sukseset e politikës kosovare duke përvetësuar për kauzën e saj perëndimorët.
Edhe atëherë si sot ura nëpërmjet së cilës duhej të kalonin kosovarët ishte Turqia. Për shkak se Turqia atëbotë – bashkë me vendet arabe – ia mbanin anën “paktit të të painkuadruarve”, konkretisht trashëgimtares së RSFJ, Serbisë dhe veçanërisht ngase kauza nacionale ishte e paluhatshme ndër organizatat shqiptare, duoja, qysh atëherë me program të qartë ideologjik për të dekonstruktuar historinë shqiptare siç njihej dhe me synimin për të drejtuar shqiptarët drejt Lindjes, dështoi keqas. Pas kësaj pasoi një heshtje. Një pauzë deri pas pavarësimit të Kosovës, për tu rishfaqur më vonë duke rekrutuar persona – tashmë të njohur – e sidomos të kthyerit nga shkollat e majta franceze që i përmendëm në paragrafin e dytë. Sot dy nismëtarët e kësaj lëvizjeje kanë kapur edhe organizata të rëndësishme.

III.
Dy autorët e lartpërmendur që bënë debatin me Teki Dërvishin dhe tjerët ishin ish ambasadori enverist dhe deputet i mëvonshëm i PD Abdi Baleta dhe tjetri ligjëruesi i UT Hysamedin Ferraj. Baleta madje edhe më hapur shpërtheu në prag të luftës kosovare kur kërkoi që shqiptarët të bëjnë luftë të shenjtë islamike, pra Xhihad (si boshnjakët) nëse duan të realizojnë lirinë e tyre. Besoj të jetë ky demaskim total që e eliminoi Baletën si zë publik, por jo edhe operues pasi vazhdonte të prodhojë bashkëmendimtarë. I pari ndër ata që shkruanin publikisht dyshes iu bashkëngjit Nexhmedin Spahiu, pastaj Milazim Krasniqi, dikur fare vonë Kim Mehmeti dhe plotë tjerë jo relevant për nga përmasat e ndikimit.
Esenca e teorisë së duos tiranase Baleta-Ferraj dhe të tjerëve ishte që shqiptarët nacionalizmin e tyre ta bazojnë në islamizëm, pra jo në etno-identitetin e tyre siç edhe bënin, por në religjion. Një teori të tillë, historikisht të paqëndrueshme e të nisur që nga debati në “Bota sot”, Ferraj e shpalos në mënyrë më konkrete në esenë e tij «Skicë e mendimit politik shqiptar». Aty Ferraj duke u vërdallë manipulueshëm me hipoteza ndërton një kuaziteori të vasalëve të mirë dhe të këqij. Natyrisht duke ua adresuar të gjitha humbjet epokave atyre shqiptarëve që nuk punonin ose vazhduan (Rilindja kombëtare) të punojnë për perandorinë osmane. Teza që qëllimisht jo lirinë e popujve e kanë si indikator vlerësues, por shkallën e kualitetit të vasalitetit të tyre me këtë apo atë bllok, gjë që implikon se edhe sot shqiptarët duhet në bazë të kësaj mendësie të shqyrtojnë udhët e tyre ndërmjet blloqeve dhe sipas Ferrajt perëndimi është drejtimi i gabuar.
Duke u nisur nga ky qëndrim subjektiv apriori – se shqiptarët duhej ti mbaheshin rrugës osmane, islamit dhe lindjes – ka vite që Ferraj përdhunon sidomos teoritë postkolonialiste, ato saidiste dhe që nga Talesi milezian e deri tek edhe ata filozofë të papërdorshëm të kohës (për të shpjeguar procese të ndodhura historike) duke i arrestuar brenda «tezës së tij» të «internacionales së gjelbër», si rruga më e dobishme e shqiptarit në shekullin që është dhe ata që vijnë.
Pseudorrëfimi i «realiteteve shqiptare» i Ferrajt nuk do të ishte ndonjë problem i veçantë, nëse ai nuk do të shndërrohej në program politik.

IV.
Programi politik i Ferrajt, me aderimin e tij me ithtarë në «Vetëvendosje» ka vite që është në aortën e politikës dhe shënon sukseset e para të implementimit praktik. Ky krah duket të dominojë kur kihen parasysh edhe çorientimet e organizatës, e cila në fillimet e saja premtonte të jetë opozita më e fortë e rajonit me kauzat e barazisë sociale dhe socialdemokrate, ndërkaq sot vepron me falanga të dhunshme që për nga pamja nuk ndryshojnë nga kolegët e tyre që luftojnë për «internacionalen e gjelbër».
Shihet se në fillim primatët e organizatës, krahu nacional-social i VV-së paska vepruar sipas asaj bindjes se intelektualëve të majtë perëndimor që besonin fetarët t’i bëjnë proletariat, mirëpo efekti dëshmon se ia kanë huq dhe e kundërta ka ndodhur: fetarët e kanë kapur dhe futur nën komandë totale organizatën.
Grupi i Ferrajt beson se vetëm me shkaktimin edhe të një krizë të rëndë mund të shkaktohet një pikë zero nga ku mund të riformulohen koordinatat e orientimit që preferon ai tashmë me plotë segmente të kapura brenda shoqërisë «kosovare» (xhami të shumta, publicistë, media, organizata që identifikohen si papagaj të teorisë së Ferraj – Baleta e Co.). Kohëve të fundit ky grup jep të gjitha shenjat të jetë më aktiv se çdo herë tjetër dhe atë brenda rezistencës kundër «Demarkacionit» (pa gjykuar këtu se është mirë apo keq siç e përfaqëson qeveria aktuale), jo për zgjidhjen e drejtë të problemit – çështje jorelevante për ata që vasalitetin e kanë shtyllë, ku gjitha u takojnë tjerëve – por shfrytëzimin e shansit që ta shembin shtetin e Kosovës si produkt të «ndërkombëtarëve» të urryer dhe nisjen që nga aty (në mbarë hartën etnike shqiptare) të luftës finale.
Pasiqë teoria e tyre e «bashkimit kombëtar» është komplet e zbrazët, nuk ofron asnjë version konkret të realizueshmërisë (nuk është si synim por vetëm si manipulim) qartë lexohet se lufta e tyre nuk merret me lirinë dhe rikonfigurimin e faktorit shqiptar në Ballkan, por me një kauzë më të madhe, «universale» ose më qartë thënë «orientale», teza që për çdo ditë mund t’iu lexohen portaleve dhe gazetave më radikale islamopolitike – nga të cilat- të vetmet – mbështeten.
A kanë rënë dhe forca tjerë, madje kundërshtuese të kësaj vije ferrajeske, në kurthin e VV-së së kapur nga «anëtarët dhe këshilltarët» e tyre të shumtë që veprojnë si soldateskë agjenturash të huaja brenda tyre? Aktualisht jo. «Demarkacioni» është prova e tyre e parë! Kështu sepse ky divizion njerëzish, i instaluar gjithandej në shoqërinë kosovare, keqpërdor VV-në dhe Demarkacionin për ta prishur këtë Kosovë kështu siç është.

Related

Çibani gjerman në trurin shqiptar

Merkel zgjodhi Beogradin si qendrën nga ku i dha...

Filoborati këshillon Demë Gogën

Kosova është model sepse refuzon nacionalizmin evropian dhe për...

Albin Kurti si projeksion i një mentaliteti në huti

Asgjë sot nuk bëhet më pa projekt. Intelektuali që...

Aura e Mesias dhe autoriteti i Mahmutit

Kur kritikon qeverinë të thonë prit se herët. Sikur...

Fanatikët kërcënojnë Laviatanin

Në Obiliq zyrtari ngacmon seksualisht një grua. Dënimi: kod veshjeje për qytetarët. Në Gjakovë një autor bën thirrje dhe nxit kundër myslimanëve. Dënimi: policia vepron pa procedurë ligjore si në Afganistan dhe e burgos atë. Në Tiranë; një humorist bën shaka me ezanin. Dënimi: xhemati i një imami radikal salafist bën ligjin sferave publike. Këto veprime nga sekularët dhe tjerët lexohen si tendencë për të instaluar sheriatin. Shteti dhe mediat ose heshtin ose luajnë indiferentin. Si duket me qëllim: sa më shumë provokime aq më keq për myslimanët. Gjersa radikalët besojnë të pushtojnë shoqëritë myslimanët duhet të kenë frikë për lirinë dhe xhamitë e tyre. Pse?