Tregu “estetik” i masmediave

Ishte libri publicistik i Blendi Fevziut, moderuesit televiziv, mbi ish-monarkun shqiptar Ahmet Zogu, ai që nxiti një kuazipolemikë rreth rolit të mediave, në raport me veprat e reja të artit.

Ndoshta për arsye se debati mbeti në duar kolumnistësh, autorësh e joprofesionistësh të fushës ai u reduktua në pyetjen: A është e drejtë që mediat t’i japin jehonë të madhe një vepre vetëm se autori është i rrjetëzuar fort në sferën e masmediave, apo ngase ai është menaxhues i shkathët i prodhimit të vet, pra di se si ta shesë atë e të mos përfillen fare veprat e atyre që nuk i kanë mundësitë e njëjta.

TEZA ishte: Mediat nuk duhet të korruptohen në atë mënyrë, duke sugjeruar en mase si megavlerë diçka që nuk është. Ato duhet t’iu përmbahen standardeve të barazisë së trajtimit të autorëve dhe artistëve e para së gjithash ato duhet të ofrojnë kritikë profesionale kur raportojnë mbi botimet e reja, ekspozitat artistike, autorët.

ANTITEZA thoshte: Kritikët e masmediatizimit të veprave në sajë të lidhjeve, reputacionit dhe shkathtësisë menaxhuese të autorëve janë njëdimensionalë, të ngurtë, zemërngushtë dhe duan të mbajnë monopol, të jenë instancë që na thotë se çka është vlerë e çka jo.

Para se t’i diskutojmë, analizojmë objektivisht tezat për ta tentuar një konkluzion, dy krahasime; një nga kulturosfera shqiptare e një nga ajo perëndimore. Cila është udha e një vepre artistike, ta zëmë në Zvicër e cila e asaj në shqipe.

SI NDODH NË ZVICËR? Autori përgatit tri kopje të manuskriptit të tij final dhe ia dërgon atë një shtëpie serioze botuese. E fundit ua shpërndanë tre lektorëve të saj (lexuesve profesionistë; kritikë të dëshmuar të letërsisë, shkencëtarë të letrave, gjuhëtarë) dhe pret mendimet e tyre. Pas mendimeve të tyre SHB formulon përgjigjen me kushtet, planin e plasimit në treg, mediave, bibliotekave, orarin e leximeve dhe detaje të tjera. Botohen një apo dymijë kopje dhe u dërgohen mediave serioze, kryesore. Numri i ekzemplarëve të veprës varet nga vlerësimi i mediave: Nëse NZZ, FAZ, SZ, “Der Spiegel”, “Focus” dhe TV formatet e njohura televizive kulturore e vlerësojnë kryesisht si modeste e deri të mirë, nis shtypja industriale e veprës.

SI NDODH NDËR SHQIPTARË? Versioni i parë: Autori duhet ta njohë dikë personalisht, të ketë lidhje, miqësi me ndonjë botues që ai t’ia botojë librin. Dhe atë pa e lexuar fare. Kryesisht autorët paguajnë harxhimet e shtypit. E qëndisin librin vetë grafikisht dhe zgjedhin se sa kopje të botohet. Pas botimit sërish është detyrë e autorit që ta gjejë ndonjë „recensent“ për t’ia bërë një „kritikë“ afirmuese. Ndodh eventi final: Autori promovon librin në ndonjë bibliotekë, librari a kafene dhe kaq. Versioni i dytë: Pas rënies së monizmit, kohëve të fundit edhe shqiptarët i përvëloi marketingu i egër jo vetëm i materialeve teknologjike dhe tekstileve, por edhe ai i prodhimeve frymore. Masmediat dhe rrjetet sociale katapultojnë çdo opsion politik, lider apo libër në megaevent të ditës, javës muajit: për pare natyrisht. Në “Facebook” të mjaftojnë disa mijë euro për t’i blerë brenda disa ditëve qindra mijë „like“ e ndjekës që pastaj t’i manipulosh me aksionet private. Se si funksionon ky lloj marketingu tashmë kemi raste konkrete. Librin pra mund ta shtypësh edhe vetë dhe brenda disa minutave e sheh çdokush. Kjo nuk do të ishte gjithaq dramatike, sepse ndodh gjithandej – kudo ka shpirtra estetikisht me receptorë të paedukuar që mund t’i përdorësh si lolo. Problemi qëndron diku tjetër: gjersa në vendet perëndimore FAZ, ZDF, NZZ, etj. (ndodh që veprojnë nga mëshira ndonjëherë pa dhënë vlerësim) nuk pranon të bëjë intervistë me para me ndonjë autor a snob për ta plasuar si do ai, por lejon vetëm „reklamën“ transparente, masmediat shqiptare nuk e praktikojnë këtë: ato nuk shpalojnë se kur është fjala e natyrës së biznesit e kur jo, kështu që një autor të rëndomtë e sheh në të gjitha kanalet televizive, nëpër gazeta e gjithandej, e tjetrin që të shkrin me art as që e përfol kush.

KONKLUZIONI: Paraprakisht ta evitojmë një keqkuptim: Libri i Fevziut po aq sa ai i fundit i Mustafa Nanos janë libra të mrekullueshëm brenda zhanrit. Edhe pa insistimin e tyre dhe me reçensa profesionale ato ndoshta do të popullarizoheshin edhe më shumë se sa me debate të aranzhuara dhe spektakle mediale.

Teza dhe antiteza: Kritikët e spektakleve të aranzhuara mediale qoftë edhe intuitivisht (nëse nuk janë specialistë të estetikës, kritikës apo shkencëtarë) e kanë kuptuar një gjë që Platoni e kishte kapur edhe atëherë kur nuk kishte media e as estetika nuk njihej si shkencë: Në Phaidros dhe Philebos ai kërkon ngritjen e atyre ideve mbretërinë e të cilave e përbëjnë e Mira dhe e Bukura, sepse vetëm të fundit, në aspektin etik dhe politik ia vlejnë të perceptohen dhe të shumohen. Aristoteli në „Retorikën dhe poetikën“ e tij e bën një listë kushtesh se çka mund të jetë estetike e çka jo. Kant-i  në „Kritikën e arsyes së pastër“ definon të domosdoshmet, „mësimet elementare“ për edukimin e senzoriumit human për ta civilizuar atë edhe më tej si qenie humane, pozitive, etike e jo luftarake, seksualomanjake, perverse e kështu deri në pafundësi. Që nga A.G. Baumgartner (1714 – 62 – themeluesi i estetikës si disiplinë) e deri më sot masmediat, SHB-të dhe institucionet që merren me vlerësimin e vlerave në Art iu përmbahen kanoneve universale të kritikës të ngritur nga ky proces kulturologjik. Kritika e Arteve më vonë, duke u nisur nga kjo bazë ka krijuar instrumentet tekniko-shkencore për ta bërë vlerësimin sa më objektiv të veprave artistike. Arti nuk është shije, sepse aty ku i vjen era mund të jetë gjellë apo pleh, mirëpo kurrë artefakt me të cilin duhet edukuar njeriun, qoftë edhe këtë të irrituarin e postmodernës. Antiteza është mediokre! Masmediat si përçuese direkte kanë një përgjegjësi të madhe në këtë drejtim!

Related

Çibani gjerman në trurin shqiptar

Merkel zgjodhi Beogradin si qendrën nga ku i dha...

Filoborati këshillon Demë Gogën

Kosova është model sepse refuzon nacionalizmin evropian dhe për...

Albin Kurti si projeksion i një mentaliteti në huti

Asgjë sot nuk bëhet më pa projekt. Intelektuali që...

Aura e Mesias dhe autoriteti i Mahmutit

Kur kritikon qeverinë të thonë prit se herët. Sikur...

Fanatikët kërcënojnë Laviatanin

Në Obiliq zyrtari ngacmon seksualisht një grua. Dënimi: kod veshjeje për qytetarët. Në Gjakovë një autor bën thirrje dhe nxit kundër myslimanëve. Dënimi: policia vepron pa procedurë ligjore si në Afganistan dhe e burgos atë. Në Tiranë; një humorist bën shaka me ezanin. Dënimi: xhemati i një imami radikal salafist bën ligjin sferave publike. Këto veprime nga sekularët dhe tjerët lexohen si tendencë për të instaluar sheriatin. Shteti dhe mediat ose heshtin ose luajnë indiferentin. Si duket me qëllim: sa më shumë provokime aq më keq për myslimanët. Gjersa radikalët besojnë të pushtojnë shoqëritë myslimanët duhet të kenë frikë për lirinë dhe xhamitë e tyre. Pse?